• Icon 02

  • Icon 03
  • anim
  • Icon 04
  • ur
  • wikipedia
  • Kulla.puff
  • Drejtshkrimori.puff
  • fesh-puff

Në Uppsala të Suedisë fillon studimi i gjuhës shqipe

 Në shtetet skandinave shqiptarët kanë zënë të vendosen vonë. Shumë më të hershme se ngulimet tona këtu, janë interesimet e skandinaveve  për gjuhën e kulturën tonë. Ja, bie fjala suedezi Hans Erik Tunman (1746-1778) historian që punoi në Universitetin e Halles në Gjermani,...

qe habitur gjatë studimeve historike kur hasi praninë e popullit tonë në Gadishullin Ilirik që s´kishte kurrgjë të përbashkët as me grekët e as me latinët dhe që nuk u romanizuan e as asimiluan nga dyndjet e më vonshme. Danezi Holger Pedersen (1867-1953) profesor i gjuhësisë krahasuese indoevropiane në Kopenhagë, bëri analizat më të forta shkencore në fushë të gramatikës historike të shqipes dhe në vitin 1932 botoi librin “Gjuha shqipe” në Romë. Lidhjet e para shqiptaro-skandinave pra, janë lidhje studimi, afirmimi të gjuhës e kulturës sonë. Kështu do të ishte shumë mirë të vazhdohej, prandaj sivjet, kjo vjeshtë e brishtë në Suedi fillon me një lajm të mirë për ne shqiptarët. Në semestrin vjeshtor 2008 fillon për të parën herë studimi i gjuhës shqipe në nivel akademik. Studimin e shqipes e merr përsipër Universiteti i Uppsalës në kuadër të Institutit për gjuhë moderne të  Fakultetit të shkencave filologjike. Semestri i parë përfshin kursin Shqipja 1 (Albanska 1) kurse semestri veror kursin Shqipja 2 (Albanska 2).
Në webfaqen e Universitetit të Uppsalës motivohet nevoja e studimit të shqipes në këtë mënyrë:
 Shqipja është një gjuhë indoevropiane që flitet kryesisht në Shqipëri dhe Kosovë. Kjo gjuhë nuk ka lidhje fisnore me gjuhët tjera indoevropiane por, si e tillë përbën një degë të veçantë në kuadër të kësaj familjeje të madhe gjuhësore. Historia e hershme e shqiptarëve ënde nuk është studiuar në mënyrë të mjaftueshme. Shumica e specialistëve të fushave të veçanta janë pajtuar me konstatimin se shqipja moderne ka origjinë indoevropiane dhe se ajo flitej dikur në antikë në pjesët jugore të Ballkanit. Fillimet e shqipes moderne duken në burimet e shkruara që zënë fill pas vitit 1400. Gjatë zhvillimit të vet shqipja ka huazuar fjalë nga gjuhët fqinjë si bie fjala greqishtja , latinishtja, italishtja dhe më vonë nga gjuhët sllave të jugut dhe turqishtja.
Gegërishtja dhe toskërishtja janë dy dialektet e shqipes kurse letrarishtja e sotme ka një dominim të lehtë të toskërishtes. Sot e flasin shqipen mbi 6 000 000 shqiptarë vendas. Shqipja flitet edhe në disa pjesë të Ballkanit, pastaj në diasporë – Evropën  perëndimore si dhe në pjesën veriore të Amerikës. Në Suedi, flasin shqip mbi 40 000 shqiptarë të ardhur kryesisht para luftës së fundit në Kosovë.
Kurset: Shqipja 1 dhe Shqipja 2 së bashku përbëjnë bazën teorike dhe praktike ne studimin e mëtejmë të shqipes.
Disa veçori historiko-shkencore të Universitetit të Uppsalës
Uppsala është qytet i katër me radhë sipas dendësisë demografike në Suedi që shtrihet 67 kilometra në veri të Stockholmit. Ajo që e bën të njohur në gjithë botën këtë qytet është Universiteti i themeluar në vitin 1477. Universiteti i Uppsalës është qendër akademike më e vjetër në gjithë botën Nordike. Themelues i saj konsiderohet kryepeshkopi Jakob Ulvsson i cili aranzhoi në fillim studimet në fushë të filozofisë, drejtësisë dhe teologjisë. Studime për shkenca teknike apo natyrore nuk kishte në kohën e kryepeshkopit Ulovsson.
Madhështinë e vet e arrin ky Universitet në vitet 1620, në kohën kur Adolf Gustav i II përmes donacioneve bujare krijoi bazë ekonomike stabile për veprimtarinë e mëtutjeshme shkencore.
Kështu, në vitin 1630 Universiteti arrin të ketë 1000 studentë dhe për të parën herë zgjeroi mundësitë edhe për studime në fushën e shkencave natyrore. Në këtë kohë profesor i njohur në Universitet ishte Olof Rudbeck që bëri zbulimin e sistemit Limfatik (mjekësi), krijoi teatrin anatomik dhe bëri planin e qytetit të Uppsalës sipas urdhrit të mbretëreshë Kristinë.
Në vitin 1640 studentët filluan të organizohen sipas kombësisë. Më vonë, pikërisht në vitin 1663, Universiteti i Uppsalës bëri njohjen zyrtare të kombeve. Nga mesi i vitit 1700 Anders Celsius-i merr titullin e profesorit në astronomi kurse Carl von Linne në medicinë (të dy suedezë të njohur në gjithë botën). Në këtë kohë në Universitet, medicina, botanika dhe farmacia nuk konsideroheshin si shkenca më vete. Një humanist shumë përparimtar për kohën konsiderohet Johan Ihre. Gjuhëtar me profesion Johan Ihre njihet edhe për guximin e tij që t´ju drejtoi kritika të ashpra kishës dhe pushtetarëve të kohës. Deceniet e fundit të shekullit të XVII nuk lanë ndonjë gjurmë të ndritshme në historinë e Universitetit. Ishte koha kur shkencat natyrore kishin humbur disa nga themeluesit dhe kur shqetësimet politike pas revolucionit francez kishin tkurrur debatet dikur aq të bujshme filozofike në këtë qytet dijeje. Në gjysmën e parë të shekullit të XVIII ishin studentët ata që e kishin fjalën kryesore dhe që dëgjoheshin me vëmendje në Universitet. Kjo periudhë cilësohet nëpër botimet monografike për universitetin si kohë lulëzimit dhe e romantikës studentore në universitetin e Uppsalës. Pjesa tjetër e shekullit të XVIII karakterizohet me aktivitete më të ngjeshura në shkencat natyrore dhe në medicinë. Në këtë kohë Universiteti zgjerohet me objekte të reja si: bibliotekën universitare të quajtur Carolina Rediviva, observatoriumin, kimikumin, ndërtesën e re universitare e disa objekte tjera. Studentët e kombësive të ndryshme fituan të ashtuquajtura shtëpitë e tyre kombëtare brenda të cilave krijonin dhe përforconin qëndrimet e tyre. Në vitin 1870 edhe gratë fituan të drejtat e tyre për studime akademike në Uppsala dhe kështu në vitin 1872  Betty Petersson ishte gruaja e parë që u regjistrua në këtë Universitet. Para Luftës së dytë botërore Universiteti pati zhvillime të zbehta shkencore kurse pas saj shpërthyen ndryshime e zhvillime të njëmendta. Së pari numri i studentëve u trefishua (nga    1 500 para lufte në 4 500 pas saj), u krijuan drejtime të reja studimi si p.sh. arkeologji, histori e artit modern dhe studime i gjuhëve moderne. Në vitet 60-të numri i studentëve arriti në 21 000. Sot studiojnë në universitetin e Uppsalës rreth 40.000 studentë të ardhur këtu nga e gjithë bota.
 Edhe disa të dhëna statistikore për Universitetin e Uppsalës  
Universiteti i Uppsalës ofron studime brenda këtyre tri fusha të gjera shkencore: shoqërore dhe humanitare, medicinë e farmaci si dhe në shkencat teknike e natyrore. Fakultete më të kërkuara janë: fakulteti teologjik, juridik, filologjik, teknik, pedagogjik, i farmacisë, i mjekësisë, i shkencave natyrore dhe i shkencave humanitare.
Universiteti ofron 50 programe shkollimi për nivele fillestare, 45 programe për nivele të avancuara (magjistër/master nivele) si dhe 2000 kurse tjera të veçanta.
Programet më të kërkuara në Universitet kohëve të fundit janë: programi dietist, psikologjik dhe ai medicional. Për çdo vit diplomojnë rreth 4 000 studentë gjysma e të cilëve janë juristë, psikologë, farmacistë, inxhinierë, mjek dhe mësues.
Në total Universiteti i Uppsalës ka rreth 2 000 kandidatë (doktorantë)që studiojnë për titullin doktor të shkencave të ndryshme. Prej tyre 400 marrin titullin Doktor kurse 100 marrin licencë për çdo vit. Universiteti i Uppsalës ka afër 6 000 të zënë me punë, 500 janë profesorë ndërkaq 20% e tyre janë femra. (Në Suedi titulli profesor përdoret vetëm në Universitet e jo edhe në shkollë të mesme).
Universiteti shpenzon afër 4 300 milion korona në vit, prej të cilave 70% i shpenzon për hulumtime dhe shkollimin e studiuesve shkencor. Kjo qendër e famshme shkollimi në Suedi ka lidhje bashkëpunimi me universitet më të mëdha në botë. Kështu Universiteti i Uppsalës ofron 20 programe master dhe afër 300 kurse te veçanta në gjuhën angleze, si dhe ka marrëveshje për ndërrim të studentëve me 500 universitete të jashtme në 50 vende të botës. Aktualisht bashkëpunon me më shumë se 1 000 universitete ndërkombëtare, (para se gjithash me universitet në Evropë, Amerikë dhe Azi) në veprimtari shkencore-hulumtuese të përbashkëta.
Universiteti i Uppsalës publikon afër 5 000 shkrime shkencore në vit gjysme  e të cilave nëpër revistat më të njohura shkencore të botës.

Qerim Kryeziu, Suedi