Mbi gjuhën amtare
- Gjuha amëtare ka një domethënie të madhe për krijimin e identitetit dhe vetëbesimit te fëmijët.
- Gjuha amëtare është themeli mbi të cilin ndërtohet aftësia e tij për të mësuar.
- Fëmija e ka më të lehtë të mësoje gjuhën e dytë, së bashku me lëndët e tjera.
- Njerëz me njohuri të gjuhëve të huaja janë një pasuri për shoqërinë.
Në NORDBAS gjenden studime shkencore gjithëpërfshirëse, të cilat dëshmojnë mbi rëndësinë e mësimit në gjuhën amëtare nëpër çerdhe dhe shkolla.
Çfarë është mbështetja në gjuhën amëtare.
Sipas planit mësimor të ciklit parashkollor i jepet mundësia fëmijëve, të cilët nuk kanë gjuhë amëtare gjuhën suedeze, të zhvillojnë njohuritë e tyre edhe në gjuhën amëtare. Një mësues i gjuhës amëtare i takon fëmijët një here në javë. Ai ose ajo vijnë nga i njejti vend nga i cili vijnë edhe fëmijët. Ata luajnë, këndojnë, vizatojnë, presin e ngjisin dhe lexojnë përralla në gjuhën amëtare të fëmijëve. Mësuesi i gjuhës amëtare mund t'ì drejtojë fëmijët në lojë e këngë dhe në këtë mënyrë t'u shpjegojë atyre kulturën dhe t'ua forcojë besimin në identitetin kombëtar. Disa studime tregojnë se mundësia e ushtrimit të gjuhës amëtare qysh në ciklin parashkollor, krijon premisa që fëmijët të kenë rezultate më të mira në shkollë. Krijohet një urë ndërmjet gjuhës së përdorur në parashkollore dhe gjuhës së përdorur në familje.
Çfarë është mësimdhënia në gjuhën amëtare.
Mësimi i gjuhës amëtare është një lëndë e veçantë, e cila zhvillohet në ciklin shkollor të ulët dhe në atë të mesëm. Qëllimi është që fëmijët të përfitojnë sa më shumë nga mësimi në shkollë dhe në të njëjtën kohë të zhvillojnë kompetencën dhe identitetin e tyre dy-gjuhësor. Puna do të zhvillohet në mënyrë të tillë që zhvillimi personal i fëmijës të favorizohet dhe besimi në identitetin e tyre të forcohet. Për mësimin e gjuhës amëtare janë përpiluar një numër rregullash, të cilat ju mund t'i lexoni nën rubrikën "Dokumentet themelore". Mësimdhënësit e gjuhës amëtare janë zakonisht nga i njejti vend nga i cili janë edhe fëmijët. Mësuesit e gjuhës amëtare duhet që po ashtu të kenë njohuri të mira mbi shoqërinë dhe gjuhën suedeze.
Çfarë është ndihma orientuese në gjuhën amëtare.
Fëmijët dhe të rinjtë, të cilët sapo kanë ardhur në Suedi dhe njohuritë e të cilëve nuk mjaftojnë për të ndjekur mësimdhënien në gjuhën suedeze, gëzojnë të drejtën e shpjegimit të mësimit në gjuhën e tyre amëtare. Prindërit dhe shkolla bashkëbisedojnë mbi nevojën e nxënësit për ndihmë orientuese në gjuhën amëtare. Por, si instance e fundit, është rektori i shkollës ai që vendos nëse një nxënës ka nevojë për ndihmë orientuese në gjuhën amëtare.
Kush gëzon të drejtën e mësimit dhe ndihmës orientuese në gjuhën amëtare?
Të gjithë fëmijët, të cilët nuk flasin gjuhën suedeze në familjet e tyre, pra, që kanë një gjuhë tjetër amëtare gëzojnë të drejtën e mësimit në gjuhën amëtare. Fëmijë, të cilët kanë si gjuhë amëtare gjuhë të minoriteteve, gëzojnë të drejtën e mësimit të gjuhës amëtare edhe në rast se fëmijët nuk e flasin gjuhën çdo ditë në shtëpi.
Cilat janë gjuhët e minoriteteve?
Gjuhët minoritare samiska, meän kieli och romani chib kanë të drejta më të mëdha. Pozicioni i gjuhëve minoritare në Suedi u forcua me përshtatjen e rregullave me ato të Bashkimit Evropian në vitit 2001.
Lexo më gjerësisht për gjuhët minoritare në shkollë dhe studimet shkencore në Universitetin e Upsalës.
Fëmijët azilkërkues
Rregullorja e re (2001:976) për fëmijët azilkërkues dhe fëmijët, të cilëve u është miratuar leje qëndrimi e përkohshme, ka hyrë në fuqi më 1 janar 2002. Komunat ku banojnë këta fëmijë duhet që brenda një muaji atyre t'u ofrojë atyre vende në parashkollore dhe shkollë normale si të gjithë fëmijëve të tjerë me banim në Suedi.
Si bëhet kërkesa për të marrë pjesë në mësimin e gjuhës amëtare.
Prindërit duhet t'i drejtohen shkollës ose komunës për të pyetur mbi mësimdhënien ose ndihmën orientuese në gjuhën amëtare. Janë prindërit ata, që vendosin për pjesëmarrjen e fëmijës së tyre në ndihmë orientuese dhe mësim në gjuhën amëtare, jo personeli i parashkollores apo shkollës. Megjithatë, kopshtet dhe shkollat duhet t'i informojnë prindërit kur është koha për të kërkuar dhe në cilën mënyrë bëhet kërkesa. Mësimi dhe ndihma në gjuhën amëtare janë falas dhe bëhen mbi baza vullnetare.
Kush është përgjegjës për mësimin ndihmës dhe ndihmës orientuese?
Komuna ka përgjegjësinë kryesore për kopshtet dhe shkollat. Komuna është e lirë në përcaktimin e organizimit të veprimtarisë për të arritur direktivat e përcaktuara nga shteti. Një komunë është e detyruar të organizojë mësimin e gjuhës amëtare në qoftë se brenda komunës gjenden së paku 5 nxënës të cilët dëshërojnë mësimin e gjuhës amëtare dhe komuna është në gjendje të gjejë mësues të përshtatshëm të gjuhës amëtare. Mësimi i gjuhës amëtare mund të organizohet edhe midis shkollave të ndryshme për të krijuar në këtë mënyrë grupe më të medha.
Organizimi në ciklin e ulët parashkollor:
Komunat kanë përgjegjësi që kopshtet të krijojnë premisa të mjaftueshme për realizimin e qëllimit të planit mësimor. Përparimi dhe të mësuarit e secilit fëmijë duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me familjen. Mësuesi i gjuhës amëtare e takon fëmijën një herë në javë në kopshtin e tij. Atje mësuesi qëndron dy deri në gjashtë orë. Nga dhjetë fëmijë, të cilët kanë të drejtë të mësojnë gjuhën amëtare në parashkollore, vetëm një e realizon praktikisht këtë. Numri i fëmijëve me ndihmë në gjuhën amëtare ndryshon gjithashtu nga komuna në komunë.
Organizimi në ciklin fillor.
Sipas Ligjit për Arsim, komunat janë të detyruara të ofrojnë mësimin e gjuhës amëtare. Mësimdhënia organizohet në forma të ndryshme në shkollën fillore, por e përbashkët është që çdo fëmije i ofrohet dy ose tri orë mësimi në gjuhën amëtare në javë.
1. Mësimi i gjuhës amëtare si gjuhë e zgjedhur. (klasa 6-9)
Nxënësi mund të studiojë gjuhën e tij amëtare në vend të një gjuhe të huaj. Në këtë rast mësimdhënia përfshihet në orarin dhe skemën e shkollës. Orët e mësimit ndahen midis klasës së shtatë dhe të nëntë. Gjuhët, të cilat mund të zgjidhen, vendosen nga rektori i shkollës dhe kjo është në varësi të numrit të nxënësve, të cilët dëshirojnë të studjojnë një gjuhë të caktuar amëtare si gjuhë të zgjedhur.
2. Mësimi i gjuhës amëtare si zgjedhje e lirë e nxënësit. ( klasa 1-9)
Gjatë gjithë ciklit të shkollës fillore, shkolla duhet që një pjesë të mësimdhënies t'ia përshtasë zgjedhjes së lirë që bëjnë vetë nxënësit. Në lëndën shkollore, të cilën nxënësit e zgjedhin vullnetarisht, duhet të thellohen njohuritë e tyre në këtë lëndë. Ata nxënës, që dëshirojnë, mund të zgjedhin gjuhën amëtare si zgjedhje të lirë. Rektori i shkollës është ai, i cili vendos nëse gjuha amëtare do të ofrohet si zgjedhje e lirë. Përcaktuese për këtë është numri i nxënësve, të cilët zgjedhin të mësojnë gjuhën amëtare.
3. Mësimi i gjuhës amëtare si zgjedhje e shkollës. (klasa 1-9)
Në orarin e shkollës egzistojnë disa orë të cilat mund të përdoren për mësimin e gjuhës amëtare, kjo si një zgjedhje të cilën e bën shkolla. Këto orë mund të përdoren në një ose më shumë lëndë. Kjo bëhet për t'i dhënë shkollës një profilim të caktuar. Pra është e mundur të realizohet mësimdhënia e gjuhës amëtare si zgjedhje e lirë të cilën e bën shkolla.
4. Mësimi i gjuhës amëtare jasht orarit mësimor.
Gjuha amëtare mund të mësohet edhe jashtë orarit mësimor. Kjo do të thotë që nxënësi merr leksione në gjuhën amëtare jashtë orarit mësimor çdo javë. Numri i leksioneve vendoset nga komunat përkatëse. Zakonisht realizohen dy orë mësimi në javë.
Organizimi në shkollat speciale (të veçanta).
Nxënësit, të cilët ndjekin shkollat speciale, gëzojnë gjithashtu të drejtën të mësojnë gjuhën amëtare. Gjuha amëtare mund të frekuentohet si zgjedhje e lirë e nxënësit, si zgjedhje e gjuhës (gjuhët moderne) ose si lëndë jashtë orarit mësimor. Ekziston një plan mësimor i veçantë për mësimin e gjuhës amëtare në shkollat speciale. Mësimdhënia organizohet në mënyrë individuale për çdo nxënës.
Organizimi në gjimnaz.
Të rinjtë kanë të drejtë të vazhdojnë mësimin e gjuhës amëtare kur ata fillojnë shkollën e mesme. Gjuha amëtare mund të frekuentohet brenda planit mësimor si zgjedhje individuale, si zgjedhje e gjuhës (gjuhët moderne) ose si lëndë mësimore jashtë orarit mësimor. Kurset e gjimnazit përfshijnë 250 pikë. Komunat ofrojnë mundësi për mësimin e gjuhës amëtare në gjimnaz në varësi të numrit të nxënësve dhe të resurseve që egzistojnë.
Bashkëpunimi mes shkollës dhe familjes.
Fëmijët ndikohen nga qëndrimi pozitiv që kanë prindërit dhe personeli ndaj mësimit të gjuhës amëtare. Prandaj është e rëndësishme të ketë bashkëpunim dhe klimë pozitive midis familjes, kopshtit dhe shkollës. Kopshti dhe shkolla janë, përveç kësaj, të detyruara të organizojnë takim me prindër për bisedë rreth zhvillimit të fëmijës, së paku një herë në termin. Gjatë takimit me prindër marrin pjesë personeli, prindërit dhe fëmija. Për fëmijët, të cilët nuk kanë gjuhë amëtare suedishten, është bërë zakon, që në takime me prindër, të marrë pjesë edhe mësuesi i gjuhës amëtare. Ideja nuk është, që mësuesi i gjuhës amëtare të shërbejë si përkthyes. Prindërit kanë të drejtë të kërkojnë informacion me shkrim si pjesë shtesë e takimit me prindër. Në shkollën fillore nxënësi vlerësohet me notë prej klasës së tetë.
_________________________________________________________
*Materiali i mësipërm është përkthim nga suedishtja i tekstit që është i vendosur në faqen kryesore të "Tema Modersmål".
Klikoni KËTU për të parë tekstin në suedisht.


