Prof. Dr Anton Nikë Berisha - Universiteti i Kalabrisë - Itali                                        


Veçantitë e tekstit letrar dhe të tekstit joletrar

Ose: rreth strukturës gjuhësore dhe strukturës gjuhësore poetike

/Ligjëratë me mësuesit e shqipes në shtetet Skandinave, 4 - 5 qershor 2008 Landskrona, Suedi/

Rëndësia dhe ndërliqësia në disa rrafshe

Çështja e shqyrtimit dhe e përcaktimit të veçantive të tekstit letrar dhe të tekstit joletrar, përkatësisht të strukturës gjuhësore dhe të strukturës gjuhësore poetike[1] lidhet me ndërliqësinë e dy koncepteve themelore: gjuhë dhe letërsi. Dihet se gjuha, si dukuri shoqërore, qëllim kryesor ka komunikimin, marrëveshjen midis njerëzve. Si e tillë, si aktiviteti i lashtë shenjëzues – simbolik i njeriut, me kalimin e kohës ajo u bë pjesë e pandashme e gjallimit dhe e botës së tij. Në këtë rrjedhë gjuha u bë edhe mjeti kryesor për përftimin e krijimeve letrarre artistike, për krijimin e veprave të artit të fjalës.

Ç’është e vërteta, qenësia e letërsisë dëshmohet pikërisht nëpërmjet gjuhës si materie kryesore dhe se jashtë saj ajo nuk mund të krijohet, të ekzistojë, të komunikojë e as të bëjë ndikimin estetik. Së këndemi, ndërliqësia nuk shprehet vetëm në rrafshin e përcaktimeve të dukurisë gjuhë dhe të dukurisë letërsi, por dhe të ndërlidhjeve dhe të marrëdhënieve shumëplanshme që ekzistojnë midis tyre. Në gjuhë çështja shprehet e ndërliqshme nga fakti se kemi të bëjmë me tri kategori të veçanta: ligjërim, gjuhë, të folur.[2] Kjo ndërliqësi shkon e bëhet më e ndjeshme dhe më e theksuar kur vështrimi përqendrohet në raportin gjuhë – të folur,[3] ku me rëndësi të veçantë është të folurit si akt konkret i materializimit të gjuhës, si akt individual, dhe roli i tij në strukturën e tekstit joletrar dhe në strukturën e tekstit letrar. Në këtë rrjedhë ndërliqësia shprehet dhe në rrafshe e në aspekte të tjera.

Në artin e fjalës, në letërsi, çështja shkon e bëhet e ndërliqëshme nga fakti se teksti letrar, siç thamë, krijohet, funksionon – komunikon dhe bën ndikimin estetik nëpërmjet gjuhës, përkatësisht nëpërmjet mesazheve që dalin nga struktura e veçantë gjuhësore. Së këndejmi, kur flasim për veprën letrare artistike, dashur e padashur, flasim edhe për gjuhën, për veçantitë e kumteve dhe të mesazheve që në të shprehen nëpërmjet saj. Natyrisht, kur e vështrojmë veprën letrare ne nuk flasim për gjuhën si sistem rregullash, kategorish e tiparesh gramatikore dhe sintaksore, që e bëjnë atë të njënishme dhe të papërsëritshme përballë dukurive të të njëjtit sistem gjuhësor ose përballë një sistemi tjetër gjuhësor, por për tiparet e kumteve dhe të mesazheve, të shumësisë kuptimore që dalin prej strukturave përkatëse gjuhësore, përkatësisht të mundësive të ndryshme të receptimit jo vetëm nga lexues të ndryshëm, por edhe nga i njëjti lexues në kohë e në gjendje të ndryshme.

Teksti si strukturë gjuhësore poetike

Studiuesi i shquar i gjuhësisë, F. De Sosyri, me të drejtë vë në dukje se s’ka e as nuk mund të ketë tekst dhe as tekst letrar pa gjuhë.[4] Në këtë rrjedhë, siç thekson M. Solar, pa e kuptuar gjuhën, përkatësisht natyrën e saj, nuk mund ta kuptojmë as natyrën e letërsisë.[5] Me fjalë të tjera, pa e njohur vendin dhe rolin e gjuhës në dukurinë letrare, përkatësisht pa zgjidhjen e kësaj çështjeje, nuk mund të krijohet as teoria e letërsisë[6] e as mund të ndriçohen veçantitë e një vepre letrare e as të bëhet dallimi midis tekstit letrar dhe tekstit joletrar, përkatësisht ndryshimi midis strukturës gjuhësore dhe strukturës gjuhësore poetike.

Edhe gjuha,[7] edhe letërsia janë sisteme të caktuara të komunikimit. Brenda procesit të ndërliqshëm përftues dhe komunikues teksti është mekanizmi që luan rolin kryesor. Pa të nuk mund të ketë komunikim, nuk mund të ketë as strukturë gjuhësore e as strukturë letrare.

Komunikimi në rrafshin gjuhësor dhe komunikimi në rrafshin letrar përmbushen dhe afrohen mbi bazën e fenomenit të komunikimit nëpërmjet gjuhës, për arsye se, siç thekson J. Lotmani, “Informacioni nuk është shenjë fakultative, por njëri ndër kushtet themelore të ekzistimit të njerëzimit. Lufta për ekzistencë – biologjike dhe sociologjike – është lufta për informatë”.[8] Mirëpo, siç dihet, tekstet ndryshojnë për karakterin dhe për funksionin e tyre. Ky karakter del nga struktura gjuhësore dhe raporti i saj me strukturën jashtëgjuhësore ose me kontekstin e tekstit gjuhësor, përkatësisht me përvojën jetësore e kulturore në përgjithësi dhe me përvojën konkrete të vetë marrësit.

Teksti gjuhësor, si forma më kryesore dhe më e rëndësishme e komunikimit, është njësi – sistem gjuhësor kuptimisht i caktuar. Ai përbëhet nga raportet e rrjedhës sintagmatike (lineare) dhe paradigmatike (mbi bazën e kierarkisë) të njësive të veçanta përbërëse, që, përveç të tjerash, kanë vlerë dalluese kuptimore brenda tërësisë së tekstit dhe teksti si i tillë, si strukturë gjuhësore e veçantë shprehëse, si komunikat, si mjet komunikues, është i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm. Pra, teksti nuk është njësi e përbërë prej shenjave të grumbulluara rastësisht dhe dosido. Përkundrazi, ai është një raport i ndërliqshëm dhe i caktuar i shenjave gjuhësore, që shndërrohen në kuptime të ndryshme. Teksti ka fillimin dhe mbarimin e vet, por edhe gjithë atë që gjendet midis këtyre dy pikave të skajshme të tërësisë së tij. Me një përbërje të këtillë ai merr funksione të veçanta nga fakti se, siç do të pohojë Lotmani “Shndërrimi i jetës në tekst nuk është spjegim, por inkuadrim i ndodhive (në rastin përkatës nacional) në kujtesën (mendimin) kolektive.”[9] Këto veçanti e bëjnë tekstin gjuhësor të ndryshëm nga gjërat dhe objektet reale në natyrë ose nga dukuritë e ndryshme, për të cilat bëhet fjalë në të. Në të vërtetë, “Bota e sendeve është reale, bota e shenjave, e marrëdhënieve sociale – janë krijuar nga ana e civilizimit të rrejshëm. Ekziston vetëm ajo që është e vetvetishme, çdo gjë që ‘paraqet’ (pasqyron) çkado qoftë tjetër, është fiksion (…) Nga kjo tipi themelor i shenjës ‘fjala’, e cila në sistemin paraprak u shqyrtua si akt i parë i krijimit të hyjnueshëm (hyjnor), bëhet model i mashtrimit.”[10] Ky “mashtrim” dhe ky fiksion shprehen, nëpërmjet gjuhës poetike, sidomos në tekstin letrar artistik me çka ai edhe merr veçantitë e rëndësishme vetjake dhe dallohet nga tekstet e tjera joletrare.

Me cilësi të këtilla teksti gjuhësor nuk del vetëm “imitues” i realitetit apo “pasqyrim” i tij, por edhe fenomen që e shqipton realitetin dhe bëhet edhe vetë shenjë, pra bëhet fenomen i realitetit.11 Pra, teksti gjithnjë shpreh një realitet të vetin, një botë që nuk ekziston si e tillë jashtë strukturës përkatëse gjuhësore, por që në totalitetin e përvojës jetësore fiton nuancime dhe plotni kuptimore, pasurohet e pëson varësisht nga rrafshi i kodit socio – kulturor që i përkasin krijuesi dhe marrësi, por jo vetëm i këtij kodi. Individi është i aftë që përvojën e përgjithshme jetësore të njeriut ta bëjë pronë të veten nëpërmjet formave të ndryshme. Njëra nga më të rëndësishmet për fitimin dhe pasurimin e kësaj përvoje është arti letrar, letërsia.

Struktura gjuhësore e teksteve është e ndryshme, për këtë arsye janë të ndryshëm edhe karakteri dhe funksioni i tyre. Gjatë ndërtimit – shtjellimit të teksteve gjuhëore përdoren forma e mjete të ndryshme të sistemit gjuhësor, përkatësisht të folurit si akt i veçantë i realizimit konkret shprehës. Strukturat e ndryshme të teksteve gjuhësore me tiparet e tyre të veçanta kushtëzojnë shumësinë e llojeve të teksteve dhe mundësitë e shumta të tyre komunikuese – receptuese.

Materia gjuhësore përballë veçantive të tekstit letrar dhe të tekstit joletrar

Brenda llojeve të teksteve si struktura gjuhësore, teksti letrar dhe teksti joletrar paraqesin ndërliqësinë më të madhe. Për këtë arsye çështja zgjoi interesimin e përhershëm të studiuesve të artit të fjalës e të veçantive të tij.12

Si thamë më lart, nëpërmjet materies gjuhësore realizohet dhe ekziston gjuha si sistem komunikimi midis njerëzve. Po kështu, nëpërmjet materies gjuhësore krijohet, ekziston, përjetohet (artistikisht) letërsia dhe bën ndikimin e saj estetik në marrësin, dëgjuesin apo lexuesin. Mirëpo, edhe pse teksti gjuhësor, përkatësisht teksti joletrar dhe teskti letrar si element bazor përbërës (konstitutiv) kanë materien gjuhësore, shenjën gjuhësore, prapë se prapë ata ndryshojnë prej njëri tjetrit. Ky ndryshim shprehet para së gjithash në mënyrën e përdorimit të materies gjuhësore, në mënyrën e realizimit të strukturës gjuhësore nga del  kuptimi, mesazhi (kumti) dhe të ndikimit të mundshëm të tij, i cili në qenësi e përcakton karakterin dhe qëllimin e tekstit, qoftë në rrafshin thjesht gjuhësor, qoftë në rrafshin e ‘strukturës’ jashtëgjuhësore. Ndodh kështu nga fakti se struktura e tekstit gjuhësor nuk është e njënishme me tiparet e strukturës së tekstit letrar poetik: “Struktura specifike e veprës letrare nuk është, pra e njënishme me strukturën gjuhësore. Ajo është strukturë që shpreh botën nëpërmjet gjuhës.”13Struktura e tekstit letrar përmban diçka të veçantë, pra është më shumë se vetëm strukturë e zakonshme gjuhësore, e cila (struktura gjuhësore) si qëllim kryesor ka informimin, komunikimin. Së këndejmi, shenja gjuhësore as nuk është e as nuk mund të jetë njësi njohëse e natyrës dhe e karakterit letrar të tekstit e as e strukturës së llojit apo e veçantisë së mikrostrukturave të veprës letrare dhe e makrostrukturës së saj. Pra, “Kush e kupton tekstin letrar si shenjë gjuhësore, nuk e kupton vetëvetiu dhe natyrën e tij letrare dhe nuk e ndien vetëvetiu dhe vlerën e tij letrare.”[14]

Plotnia e tekstit letrar, si sistem unik strukturash gjuhësore – kuptimore, siç thamë, brumoset dhe shprehet edhe në rrafshin e ‘strukturës’ jashtëletrare, në totalitetin e përvojës jetësore të njeriut (in der Totalität der Lebenserfahrung), pra si i tillë ai cilësohet me një strukturë më komplekse se teskti joletrar dhe si i tillë krijon mundësi jashtëzakonisht të mëdha të komunikimit dhe të receptimit.

Kjo ndërliqësi dhe ky sistem shtjellues i tekstit letrar del nga marrëdhënia e elemeteve përbërëse që kushtëzohen dhe determinohen ndërsjelltas dhe nga aftësia receptuese dhe imagjinative e marrësit të vërë lidhje shumëplanshe me strukturën gjuhësore të tekstit letrar, varësisht nga niveli i përvojës së tij, nga mundësia konotuese e tekstit. Natyrisht kjo është vetëm njëra nga mundësitë e receptimit të tekstit gjuhësor letrar apo një nga mundësitë e qasjes së kuptimeve dhe të interpretimit të shumësisë kuptimore të tij.

Kur dëgjojmë apo kur lexojmë ndonjë vepër letrare, përkatësisht një tekst letrar, atë e lexojmë dhe e kuptojmë  në mënyrë individuale dhe të veçantë. Në procesin e konotimit kapët – zbërthehet një formë ose disa forma të mundshme të kuptimësisë së srtukturës përkatëse gjuhësore poetike. Kjo lidhet, edhe me përgatitjen profesionale e me përvojën, edhe me gjendjen konkrete të subjektit – marrësit gjatë procesit të leximit dhe të ndikimit estetik, që bën vepra letrare. Së këndejmi, i japim të drejtë vrojtimit të Robert Scholes-it (Sholsit), i cili, duke folur për shumësinë e kuptimit të strukturës gjuhësore, por edhe të kontekstit shoqëror e kulturor, thotë: “Kuptimi asnjëherë nuk është i mbyllur thjeshtë në vepër (implicit), prandaj mund të zbërthehet (eksplikohet) nga studiuesi i dukurive të gjuhës. Kuptimi është lëvizje e përhershme para dhe mbrapa midis gjuhës dhe tekstit dhe rrjetës së nëntekstit, që nuk janë në vepër, po janë thelborë për ta kuptuar atë.”[15] Në këtë mënyrë teksti letrar poetik edhe përftohet, edhe lexohet, edhe receptohet ndryshe, prandaj edhe ndikimi estetik që bën është parësor; ai e përcakton, qoftë natyrën e tekstit letrar, qoftë procesin e perceptimit e të konotimit nga secili individ. Ndikimi dhe përjetimi estetik ndryshojnë nga çdo përjetim tjetër, prandaj edhe përjetohen nga secila vetje në mënyrë të mëvetësishme.

Në një ligjëratë të vitit 1978 René Wellek theksoi rolin parësor të funksionit estetik dhe të rolit që ka ai në veprën letrare: “Përjetimi estetik ndryshon prej përjetimeve të tjera, prandaj e ndan nga jeta fushën e artit, të fiksionalitetit dhe të përfytyrimit; edhe pse prodhimi gjuhësor, në të njëjtën kohë sugjeron në botën e jashtme; për këtë arsye vepra artistike nuk mund të përshkruhet vetëm me nocione gjuhësore, por ka kuptime që bëjnë fjalë për njeriun, shoqërinë dhe natyrën; se të gjitha argumentet në të mirë të relativizimit arrijnë deri në një barierë të skajshme; se ne, si studiues të letërsisë, jemi ballafaquar me objektin, me veprën artistike diku jashtë (pa marrë parasysh se çfarë e ka pasur statusin ontologjik), gjë që na nxit të përpiqemi ta kuptojmë dhe ta interpretojmë; për këtë arsye edhe nuk ka interpretim krejtësisht të lirë. Analiza, interpretimi dhe vlerësimi janë faza të lidhura ndërsjelltas të qasjes unike. Vlerësimi del nga të kuptuarit.”[16] Ky studiues mendon se funksioni estetik mund të përshkruhet sipas efektit, që është gjendje e konteplativitetit, vëmendje kalimtare (intranzitive), të cilën nuk mund ta krahasojmë me asgjë tjetër. Së këndejmi, e vlefshmja estetike bën një tërësi, e cila mund të përmbajë strukturën dhe organizimin kundërshtor.17

Në qoftë se pajtohemi me Eduard Sapirin (Edward Sapir) se “Gjuha është arti më masiv dhe më përmbledhës aq njohim, vepra më vigane dhe anonime e gjeneratave të pavetdijshme”,[18] atëherë gjuha e veprës letrare, gjuha poetike, është një shkallë edhe më e ngritur e aftësisë gjniale të njeriut. Gjuha është fenomen që ofron më shumë sesa përcjelljen e kumteve “Gjuha është më shumë se sistem i përcjelljes së mendimeve. Ajo është veshja e padukshme që na zbukuron shpirtin dhe të gjitha shprehjeve të saj u jep formë të paracaktuar. Kur shprehja ka rëndësi të jashtëzakonshme, ne e quajmë letërsi.”[19]

Veçoritë nuk shprehen vetëm brenda një gjuhe, një sistemi të caktuar gjuhësor, por edhe midis sistemeve të ndryshme gjuhësore. Pikërisht ky ndryshim midis gjuhëve të ndryshme shpreh në mënyrë të pandërmjeme ndërliqësinë e gjuhës si sistem komunikimi dhe si sistem i konotimeve (të shumta) në një rrafsh më të gjerë. Rreth kësaj dukurie E. Sapiri shkruan: “Gjuha është mjet i letërsisë siç janë mermeri, bronza apo argjili materiale të skulptorit. Meqë çdo gjuhë ka veçoritë e saj dalluese, përkufizimet – dhe mundësitë e brendshme formale të një letërsie kurrë nuk janë krejtësisht të njëjta me ato të një letërsie tjetër. Letërsia e modeluar nga forma dhe substanca e gjuhës, ka ngjyrën dhe thurjen e vet. Artisti i letërsisë mund të mos jetë kurrë i ndërdijshëm për atë si e pengon, e ndihmon apo përndryshe e udhëzon modeli, por kur paraqitet çështja e përkthimit të veprës së tij në një gjuhë tjetër, menjëherë manifestohet natyra e modelit origjinal. Të gjitha efektet e saj janë llogaritur ose janë matur me intuitë, me referencë të ‘frymës’ formale të gjuhës së tij; ato nuk mund të bartën më tutje pa humbur ose pa ndryshim. Prandaj Kroçeja ka plotë të drejtë kur thotë se vepra e artit letrar nuk mund të përkthet kurrë.”[20]

Qenësinë dhe veçantinë e fjalës poetike, përkatësisht estetikës e fjalës M. Bahtini e sheh, para së gjithash, në karakterin dhe aktin receptiv dhe në ndërlidhjen e së vërtetës me të vërtetën estetike,[21] që nga autorë të tjerë degëzohet e trajtohet në mënyra të ndryshme.[22]

Përkundër faktit se nëpërmjet tipareve thjesht gjuhësore, të shenjës gjuhësore, nuk mund të përcaktohet në mënyrë të prerë karakteri letrar i një teksti (vepra letrare s’është shenjë gjuhësore; në të hyjnë shenjat gjuhësore dhe marrin funksione e kuptime të ndryshme), megjithatë duhet theksuar se mu gjuha, përkatësisht të folurit (këtu përdorim rrjedhën ligjërim – gjuhë – të folur), nëpërmjet të cilit krijohet dhe shprehet çdo krijim letrar (kur transmetohet gojarisht ose kur shënohet me shenja) është ndër elementet kryesore që ndihmon që dëgjuesi ose lexuesi të përcaktojë natyrën dhe karakterin e tekstit letrar në krahasim me tekstin joletrare.

Gjuha e tekstit letrar ndryshon nga gjuha e tekstit joletrar. Ky ndryshim shprehet sidomos në mundësitë dhe cilësitë shprehëse komunikuese dhe receptuese të srtukturës gjuhësore dhe të konotimit të saj nga marrësi. Edhe pse ndodh shpesh që tipare të gjuhës së tekstit letrar t’i hetojmë e t’i dallojmë edhe në tekstin joletrar, funksioni i gjuhës te njëri dhe te tjetri tekst është i ndryshëm, gjë që shkakton karakterin e ndryshëm dhe tërësinë e ndryshme të teksteve dhe forcën komunikuese dhe ndikuese të tyre.

Teksti joletrar qëllim kryesor ka informacionin; saktësinë dhe qartësinë e informatës, nevojën për komunikim sa më të drejtpëdrejtë. Nëpërmjet gjuhës, përkatësisht të folurit denotativ ai synon para së gjithash materializimin e kumtit e të informatës, të njoftimit. Edhe atëherë kur fjalët, frazat e pjesët më të mëdha tekstore të strukturës gjuhësore joletrare kanë një përmasë të caktuar konotative - degëzohen kuptimisht, ky fenomen nuk del si veçori kryesore e tij, si pjesë qenësore dhe e domosdoshme, por si cilësi e dorës së dytë.

Gjuha e veçantë, përkatësisht të folurit konotativ në tekstin letrar, ku mundësia e shumësisë kuptimore është e dukshme dhe herë – herë e pakufijshme, është elementi kryesor i çdo teksti letrar artistik. P. Valery, në esenë e vet mbi poezinë dhe të menduarit abstrakt theksonte ndër të tjera: “Unë jam viktimë e vesit të çuditshëm dhe të rrezikshëm. Për çkado që të mendoj, ndjej prirjen të filloj nga fillimi (d.m.th. nga fillimi vetjak) ose, me fjalë të tjera, ta hap rrugën rishtas sikur askush para meje nuk e ka hetuar e as përdorur. Rruga për të cilën po flas është ajo që na e ofron ose na e imponon gjuha. Kur merrem me ndonjë problem, para se të bëj përpjekje të hyj në thelbin e tij merrem me perimtimin e fjalëve… Jam mësuar të sillem sikur kirurgu, i cili fillon t’i pastrojë duart dhe ta përgatisë vendin ku duhet të operojë. Këtë proces e quaj spastrim i situatës gjuhësore.”[23] Edhe Jan Parandovski e thekson fuqinë magjike të fjalës dhe aftësinë e jashtëzakonshme të saj të shprehë imazhe.[24]

Së këndejmi, në tekstin letrar çdo gjë që thuhet, që shqiptohet e transmetohet nëpërmjet sistemit gjuhësor të veçantë, thuhet me atë strukturë që shkakton konotim të nyjshëm. Pra, të folurit në tekstin artistik asnjëherë nuk synon njëkuptimësinë, qoftë në rrafshin sintagmatik, qoftë në atë paradigmatik, as saktësinë kuptimore e as qartësinë sa më të plotë të pjesëve dhe të tërësive. Përkundrazi, synon shumëkuptimësinë dhe pakufijshmërinë kuptimore. Këtë gjë nuk e kushtëzojnë vetëm gjuha e zgjedhur, leksiku i pasur, leksemat me nuanca e ngarkesa kuptimore të shumëmundshme, ngjyrimi ndjenjësor e muzikor etj., por, para së gjithash, raporti i fjalëve mes veti, raporti i ndërsjellë i tyre mes veti dhe me njësitë më të mëdha ose më të vogla tekstore si vlera dalluese, që brenda sistemit përkatës përbëjnë tërësinë unike. Ky raport qenësisht përbën njërën ndër cilësitë më të rëndësishme të tekstit letrar si strukturë gjuhësore e përcaktuar, i cili gjen plotninë e vet në totalitetin e përvojës jetësore duke pasur parasysh faktin që një tekst letrar, mund të jetë për dikë joletrar jo për shkak të strukturës së tij gjuhësore, por për pamundësinë e receptimit (e të jetësimit) të tij brenda përvojës jetësore dhe dijes vetjake mbi letërsinë dhe llojet e saj, përkatësisht të pamundësisë së nxitjes dhe të zhvillimit të sistemit kuptimor në vetëdijen e marrësit mbi bazën e strukturës përkatëse gjuhësore artistike.

Në tekstin letrar krijohet ajo strukturë gjuhësore, më saktësisht të folurit e tillë, që përjetimin artistik, mundësinë e shumësisë së konotimit dhe të ndikimit estetik të tij e nxjerr në planin e parë dhe të gjitha elementet përbërëse tekstore dhe jashtëtekstore i shërbejnë dhe i nënshtrohen këtij qëllimi. Si do të shprehet gjithë kjo te personi konkret, në çfarë kierakie do të vendosen elementet përbërëse tekstore dhe kuptimore, në ç’përmasë do të shprehet konotimi i njësive të veçanta dhe i tërësisë së tyre, kjo do të varet nga procesi që do të ndodhë në rrafshin e receptimit të tekstit letrar brenda totalitetit të përvojës jetësore të tij. Këtu edhe duhet kërkuar shpjegimin e shfaqjes së dukurisë që për të njëjtën vepër letrare të shprehen qëndrime e të bëhen vlerësime të ndryshme ose një tekst të jetë për njërin letrar e për tjetrin joletrar.

‘Struktura’ jashtëgjuhësore e krijimit letrar shkon e bëhet më e qartë kur problemin e vështrojmë nga aspekti i teorisë receptive dhe të ndikimit,[25] ku faktorët krijuesi – vepra – marrësi janë në një raport të ndërsjellë kushtëzues e determinues. Kur autori e koncepton dhe e krijon veprën letrare, ai ka parasysh marrësin dhe përvojën e tij jetësore, e cila është krijuar e formuar nga përvoja diakronike (përmes përvojës historike, socio-kulturore, letrare, fetare etj.) dhe sinkronike (përvojës në kohën kur vepron dhe krijon auori), prandaj këto elemente të rëndësishme do të shprehen e do të formësohen në mënyra të ndryshme dhe do të marrin funksione të ndryshme në rrjedhën paradigmatike dhe sintagmatike të strukturës gjuhësore letrare.

Që të depërojmë sa më thellë në qenësinë e tekstit letrar, që t’i kemi më të qartë natyrën dhe karakterin e tij po i sjellim disa mendime të semiologut dhe të studiuesit të shquar të artit letrar, Jurij M. Lotman, i cili me rezultatet e punës së tij, ndoshta ka shkuar më së largu në theksimin dhe përcaktimin e tipareve e të veçantive të tekstit letrar artistik, të funksionit, të forcës komunikuese, njohëse dhe ndikuese të tij.

Lotmani vë në dukje me të drejtë se arti letrar është gjeneratori jashtëzakonisht i organizuar i tipit të veçantë gjuhësor, që njerëzimit i ofron (i bën) një shërbim të pakompenzueshëm duke përmbushur njërin ndër aspektet më të ndërliqshme dhe, për nga mekanizmi, më të paqarta të dijes njerëzore.[26] Brenda kësaj problematike ai e vështron tekstin artistik nga aspekte të ndryshme dhe pohon “Teksti artistik është mendim shtjellues i ndërliqshëm. Të gjitha elementet e tij janë elemente kuptimore”[27] dhe se në të “…çdo detaj dhe i gjithë teksti në tërësi janë të përfshirë në sisteme të ndryshme raportesh dhe njëkohësisht arrijnë si rezultat më tepër se një kuptim.”[28]

Gjuha e artit letrar ka një rëndësi të veçantë për arsye se modelon aspekte më të përgjithshme të imazheve të botës, pra ajo e modelon universin në kategoritë e tij më të përgjithshme po dhe më të veçanta, të cilat, nga se përbëjnë brendinë më universale të botës, paraqesin formën e ekzistimit të gjërave dhe të dukurive konkrete. Së këndejmi, një trajtim i këtillë i gjuhës poetike të veprave letrare nuk ofron vetëm një normë individuale të përgjithësimit estetik, po reprodukon, po ashtu, modelin e botës në konturat e tij më të përgjithshme.[29]

Duke u nisur nga përcaktimi se arti letrar është forma më ekonomike dhe më kompakte e ruajtjes së transmetimit të informatës,[30] Lotmani vë në dukje faktin se teksti poetik paraqet një strukturë të shkallës më të lartë, të shkallës së dytë, në krahasim me gjuhën e zakonshme dhe se nga struktura e tij gjuhësore del një informacion tejet i dendur dhe i pasur: “Teksti artistik, për çka edhe kemi mundur të bindemi, mund të trajtohet si mekanizëm që është i ndërtuar në mënyrë të veçantë dhe i cili është në gjendje të përmbajë në vete informatë jashtëzakonisht të lartë të koncentruar”[31], prandaj edhe “Struktura e tekstit praktikisht është e përshkuar nga caktime të pakufijshme që e segmentojnë në prerje, të cilat janë ekuivalente në mënyra të ndryshme, pra edhe alternuese.”[32] Pra, teksti artistik është i ngritur mbi bazën e sistemit dhe të rregulles, sepse liria e pakufijshme jashtënormësore nuk është e nuk mund të jetë ideal komunikimi.

Lotmani thekson edhe një element të rëndësishëm të tekstit artistik dhe të mënyrës së funksionimit të tij: “Teksti artistik nuk është, thjeshtë, realizim i normave strukturore, por edhe i shkeljes së tyre. Ai funksionon në fushën dyfish të strukturuar, e cila përbëhet nga tendencat e realizimit të ligjësisë dhe të shkeljes (rrënimit) së tyre. Edhe pse secila prej këtyre tendencave synon që ekskluzivisht të mbretërojë dhe ta anulojë të kundërtën, fitorja e cilësdo prej tyre është shkatërruese për artin. Jeta e tekstit artistik shprehet në ngritjen e tyre të ndërsjellë.”[33]

Duke e studiuar në këtë mënyrë komplekse dhe me kompetencë e dije tekstin artistik Lotmani shpreh edhe këtë mendim, që meriton të kihet kurdoherë parasysh kur merret në vështrim teksti artistik dhe synohet të përcaktohen veçantitë e tij: “Tashmë moti është futur në përdorim krahasimi i artit  me jetën. Mirëpo, vetëm tash po bëhet e qartë sesa shumë të vërteta ka në këtë krahasim, i cili dikur ka tingëlluar si metaforë. Me siguri mund të thuhet se midis gjithë asaj që ka krijuar dora e njeriut teksti artistik në masën më të lartë ka ato cilësi, të cilat kibernetistin e nxisin të mirret me indin e gjallë.”[34]

Në qoftë se gjithë kjo që u tha deri më tash për tekstin artistik i kushtohet formës së përgjithshme të tij, modelit, atëherë duhet theksuar se brenda strukturës gjuhësore artistike realizohen lloje të ndryshme të teksteve, të cilën gjë këtu nuk duam ta bëjmë objekt trajtimi. Mirëpo, po përmendim vetëm një mendim të studiuesit polak të letërsisë, Janusz Slawinski-it, i cili duke u marrë me cilësitë e shprehjes narrative përcakton ndryshimin midis gjuhës poetike të poezisë dhe të gjuhës poetike të prozës, përkatësisht të shprehjes rrëfimtare (narrative). Mendimin nuk po e sjellim vetem për të parë këtë ndryshim në nivelin e strukturimti të gjuhës poetike, por edhe për t’u bindur për llojet dhe për karakterin e teksteve aristike, që në fundin e mbramë shprehin ndërlikushmërinë e përcaktimit të tipareve të tyre. Slawinski shkruan:

“E kundërt me shprehjen vjershore, në të cilën mund të dallohen pjesë kupti­mesh, që krijojnë lidhje më komplekse në të gjitha nivelet e njësive linguistike (...), në shprehjen narrative këto mund të dallohen vetëm në nivelin e fjalisë. Tërësitë kuptimore të fjalisë paraqesin madhësi elementare nga të cilat gjatë zhvillimit të kumunikateve të prozës pasojnë 'njësi të shumta kuptimore'. Këtij relacioni pozitiv të fjalive i përgjigjet raporti i tyre negativ ‑ pengimi i pjesëve më të vogla autonome (...) ato nuk lejojnë që të konstituohen njësi kuptimore të nivelit më të ulët, ose nuk u mundësojnë, përkatësisht i shtyjnë në gjendjen e pon­tencialitetit. - Për dinamikën kuptimore të veprës poetike duket se është karakteristike tejdukshmëria e njësive më të mëdha linguistike në raport me ato më të voglat (...) Sekvenca poetike, sikur në tekstin e vet, e bën të pranishme strukturën e elementeve gjuhësore, nga të cilat përbëhet ‑ e gjithashtu edhe në rrafshin kuptimor. Në komunikatin rrëfimor prozaik vepron tendenca e kundërt: segmentet e rrafshit më të lartë absorbojnë segmentet e rrafshit më të ulët, të cilët mjegullohen, bëhen transparent për tërësi më të mëdha kuptimore.”[35]

Struktura gjuhësore artistike dhe konteksti poetologjik

Meqenëse teksti letrar është strukturë gjuhësore e përcaktuar, që përmban një informacion të dendur, dhe si i tillë mundëson një komunikim intensiv dhe të lartë dhe është “bartës potencial i vlerës” (sipas H. E. Hass) dhe se plotninë e vet e fiton edhe jashtë strukturës gjuhësore, pra është i varur nga procesi i receptimit individual, përkatësisht nga totaliteti i përvojës jetësore (përvoja individuale si rrjedhojë e përvojës kolektive), atëherë edhe përcaktimi i prerë i veçorive të tij është punë e kotë. Kjo rrjedh para së gjithash nga fakti se karakteri letrar i tekstit varet shumë nga ai që e dëgjon apo e lexon. R. Katiçiqi thotë: “S’ka tekste që nuk do të mund të lexoheshin, edhe si tekste joletrare, edhe si tekste letrare.”[36] Mirëpo, siç thekson me të drejtë Zdenko Shkrebi “Nëse, pra, profesionisti (ne do të thoshim edhe lexuesi) nuk e lexon veprën letrare që ta njohë si vepër letrare, por për arsye të tjera, si dokument historik ose, meqë ajo është tekst gjuhësor, si bazë për hulumtime të pastra gjuhësore, me këtë ai lejon me vetëdije shmang-jen (heqjen dorë) nga receptimi artistik, mirëpo me këtë ajo vepër nuk e humb rëndësinë e saj artistike.”[37]

Nëse pajtohemi me mendimin se teksti letrar është strukturë e veçantë gjuhësore, ku çdo pjesë dhe të gjitha së bashku janë të shtjelluara në një sistem të ndërtuar në shkallë të lartë dhe ku gjuha e tij synon para së gjithash konotimin (nyjetimin) e shumtë kuptimor, atëherë gjuha artistike është një ndër elementet më të rëndësishme të qenësisë së tekstit letrar; vetëm ajo është në gjendje të krijojë një kontekst të pasur poetologjik[38] dhe të kushtëzojë një intensitet komunikues, një përjetim artistik të thellë dhe një ndikim estetik në marrësin, me çka ai ndryshon prej çdo teksti tjetër.

Duke pasur parasysh këtë cilësi kryesore të gjuhës poetike po e përsëris një mendim të shprehur (kur kam bërë fjalë për poezinë e Azem Shkrelit) se krijuesi letrar që shpreh rrafshin me të lartë të gjuhës poetike, shpreh rrafshin më të lartë të vetëdijes estetike nacionale.[39]

Krijuesit e njëmendtë përherë e kanë pasur dhe do ta kenë parasysh këtë përbërës të qenësishëm të veprës letrare, që në mënyrë të drejtpërdrejtë shpreh e kushtëzon ekzistimin, receptimin dhe ndikimin estetik të saj.

Në letërsinë tonë, sikur dhe në shumë letërsi të tjera, mund të përmenden disa vepra që në mënyrë më të plotë dhe konkrete e përligjin në rrafshin më të lartë këtë cilësi të gjuhës poetike.



[1] Kumtesë e mbajtur më 9 gusht 1986 në Koloninë e shkrimtarëve të Kosovës në Brezovicë. Këtu botohet e rishikuar dhe e ndrequr.

[2] Shih Rexhep Ismajli, Konceptet: ligjërim / gjuhë / të folur. Në “Shumësia e tekstit”. Botimi i dytë. Rilindja, Prishtinë 1980, f. 33 – 68.

[3] Ferdinand dë Sosyr, Kursi i gjuhësisë së përgjithshme. Përktheu Rexhep Ismajli, Rilindja, Prishtinë 1977, f. 50 – 53.

[4] Ferdinand dë Sosyr, Kursi i gjuhësisë së përgjithshme, vep. e cit. f. 50 – 53.

[5] Milivoje Solar, Teorija književnosti. Školska knjiga, Zagreb 1976, f. 10.

[6] Radoslav Katičić, Knjževnost i jezik. Në “Uvod u književnost”. Drugo dop. Izdanje. Urednici F. Petré e Z. Škreb, Zagreb 1969, f. 91.

[7] Duke bërë fjalë për vlerën gjuhësore, përkatësisht për gjuhën si mendim i organizuar në materien tingullore, Dë Sosyri thotë: “Gjuhën mund ta quajmë rrafsh të nyjëtimeve, duke e marrë këtë fjalë në kuptimin e përkufizuar: çdo term gjuhësor është njëfarë nyjeje, një articulus ku fiksohet një ide në një tingull dhe ku tingulli bëhet shenjë e idesë. Gjuha mund të krahasohet edhe me një fletë letre: mendimi është njëra e tingulli faqja tjetër; nuk mund të pritet njëra faqe pa e prërë në të njëjtën kohë edhe tjetrën; po kështu edhe në gjuhë, nuk mund të izolohet as tingulli nga mendimi, as mendimi nga tingulli; mund ta arrijmë këtë gjë vetëm përmes abstraksionit.”  Shih, F. dë Sosyr, Kursi i gjuhësisë së përgjithshme, vep. e cit. f. 184.

[8] Jurij M. Lotman, Ogledi iz tipologije kulture. Në “Treći program Radio Beograda”, Jesen 1974, f. 443.

[9] J. Lotman, Ogledi iz tipologije kulture, vep. e cit. f. 446.

[10] J. Lotman, Ogledi iz tipologije kulture, vep. e cit. f. 462.

[11] Duke bërë fjalë për disa dukuri të përgjithshme të teorisë së artit e në mënyrë të veçantë për veprën letrare artistike Lotmani thekson: “Nga kjo pason edhe një rrjedhim i rëndësishëm: vepra artistike është shprehje e realitetit, por, në të njëjtën kohë ajo i përket kulturës materiale. Posa të lindë, ajo pushon të jetë vetëm shprehje artistike dhe bëhet fenomen i realitetit. Duke kaluar nga mendimi artistik në sferën e mishërimit material, vepra letrare, duke ruajtur cilësitë ideale (ajo është shprehje e realitetit) bëhet vetë fenomen i realitetit. Si faktor i ndryshimit të jetës ajo përmban aktivitet të dyfishtë: ideal dhe material.” J. M. Lotman, Predavanja iz strukturalne poetike. Uvod, teorija stiha. ZIU, Sarajevo 1970, f. 46; shi dhe Anton N. Berisha, Teksti poetik, Rilindja, Prishtinë 1985, f. 9 – 10 dhe f. 26.

[12] Këtu po përmend dy autorë kroatë, Zdenko Shkreb dhe Radoslav Katiçiq, që kanë dhënë një ndihmesë të madhe lidhur me dukurinë në shqyrtim. Shih më gjerësisht Zdenko Škreb, Studij književnosti. Školska knjiga Zagreb, 1976, f. 14 – 21; Zdenko Škreb, Literarischer und nichtliterarishcer Text. Në „Umjetnost riječi“, Sonderheft, Zagreb 1976; Radoslav Katičić, Jezikoslovni ogledi. Školska knjiga Zagreb, 1971, f. 241 – 244; (edhe në „Umjetnost riječi“ XIV, f. 115 – 117, Zagreb 1970) etj.

[13] Radoslav Katičić, Knjževnost i jezik, pun. i cit. f. 203.

[14] Radoslav Katičić, Knjževna umjetnina kao znak. Në “Umjetnost riječi” 1 – 3, HFD, Zagreb 1977, f. 129.

[15] Cit. sipas Sonia Bičančić, Teorija govornog čina i književnost. Në “Umjetnost riječi”, , 1- 2, Zagreb 1984, f. 17.

[16] René Wellek, The Attack on Literature. Harvester Press, London 1982, f. 157 – 158, cit. sipis Miroslav Beker, Napad na književnost. Në: Umjetnost riječi, , 1- 2, Zagreb 1984, f. 130.

[17] René Wellek, The Attack on Literature, vep. e cit. f. 157 – 158.

[18] Eduard Sapir, Gjuha – hyrje në studimin e ligjërimit. Përktheu nga anglishtja Vejsel Nuhiu, Rilindja, Prishtinë 1980, f. 248.

[19] E. Sapir, Gjuha – hyrje në studimin e ligjërimit, vep. e cit. f. 249.

[20] E. Sapiri, Gjuha – hyrje në studimin e ligjërimit, vep. e cit. f. 150.

[21] M. Bachtin, Die Ästhetik des Wortes. Herausgegeben und Eingenleitet von Rainer Grübel und S. Reese, SV, Frankfurt am Main, 1979, f. 115.

[22] Shih sidomos Grundbegriffe der Ästhetik. SV, Frankfurt am Main, 1983, sidomos pjesët Ästhetische Neuheit, f. 156 – 160.

[23] Sipas Svetozar Petrović, Priroda kritike. Liber, Zagreb 1972, f. 87.

[24] Jan Parandovski, Alhemija reči. Kultura, Beograd 1964, f. 124 dhe 128.

[25] Shih për këtë punimin tim Rëndësia dhe mundësitë e estetikës receptive. Në “Fjala” n. 15, Prishtinë 1979, f. 13 dhe Teksti letrar si komunikat dhe estetika e tij. Në librin tim “Teksti poetik”. Rilindja, Prishtinë 1985, f. 24 – 32.

[26] Jurij M. Lotman, Die Struktur des künstlerischen Textes. Herausgegeben mit einem Nachwort und einem Register von Rainer Grübel, SV, Frankfurt am Main 1973, f. 14. Shih edhe J. M. Lotman, Struktura umetničkog teksta. Nolit, Beograd 1976, f. 35.

[27] J. M. Lotman, Struktura umetničkog teksta, vep. e cit. f. 44.

[28] Jurij M. Lotman, Teze uz pitanje ‘Umjetnos u nizu modelnih sustava’. Në “Strukturalizam”. Posebno izdanje. Kritika, Zvezak 4, Zagreb 1970, f. 251.

[29] J. M. Lotman, Struktura umetničkog teksta, vep. e cit. f. 50 dhe 51.

[30] J. M. Lotman, Struktura umetničkog teksta, vep. e cit. f. 56.

[31] Lotmna, Struktura umetničkog teksta, vep. e cit. f. 379.

[32] Lotman, Struktura umetničkog teksta, vep. e cit. f. 379.

[33] Lotman, Struktura umetničkog teksta, vep. e cit. f, 384.

[34] Lotman, Struktura umetničkog teksta, vep. e cit. 384.

[35] Janusz Slawinski, Semantika narativnog iskaza. Cit. sipas Zdenko Škreb, Metaforičnost terminologije znanosti o književnost: Zatvorena i otvorena forma. Në “Umjetnost riječi”, god. XXI, br. 1-3, Zagreb 1977, f. 205.

[36] Radoslav Katičić, Knjževnost i jezik. Në “Uvod u književnost,” vep. e cit. f. 206; Radoslav Katičić, Jezikoslovni ogledi, vep. e cit. f. 228.

[37] Zdenko Škreb, Studij književnosti, vep. e cit. f. 20.

[38] Shih më gjerësisht për këtë punimin “Konteksti poetologjik” në librin tim Teksti poetik. Rilindja, Prishtinë 1985, f. 23 – 28.

[39] Shin punimin “Të lindësh e të vdesësh me secilin varg” botuar më parë në librin tim Teksti poetik, vep. e cit. f. 57 – 64.