Edhe një vizitë e suksesshme e Ministrisë së Diasporës në Suedi
Ministria e Diasporës realizoi edhe vizitën e dytë këtu në Suedi që nga themelimi i saj.
I ftuar nga institucionet kulturo-arsimore të shqiptaëve në Suedi me rastin e festave të Nëntorit zëvendës ministri në Ministrinë e Diasporës zotëri Nuredin Lushtaku vizitoi Suedinë më 25 dhe 26 nëntor 2011.
Vizitën e parë e realizoi në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Suedisë në Stokholm. Zotëri Lushtaku shoqërohej edhe nga Këshilltari Jashtmen në Ministrinë e Diasporës zotëri Xhevat Isufi. Ambasadori Lulzim Peci dhe stafi i tij, të pranishmit i njoftoi për punën, dhe veprimtarinë e ambasadës së Kosovës në Suedi , punën diplomatike e konzullore , aktivitetet e ndryshme për integrim politik dhe ndërkulturorë të komunitetit shqiptarë në Suedi. Ndërsa Zëvendës Ministri Lushtaku i njoftoi të pranishmit për punën dhe veprimtarinë e Ministrisë së diasporës, aktivitetet dhe veprimtaritë e saj në raport me shtetin e Kosovës dhe Mërgatën tonë të madhe në Europë e botë. Në fokus të veçantë zoti Lushtaku vuri nevojën e kahershme për një përkujdesje institucionale ndaj diasporës, e cila përbën rreth 1/3 e gjithë popullatës së Kosovës, madje edhe regjistrimi i fundit e dëshmon këtë. Tashmë kemi të bëjmë me një avancim në përkujdesjen ndaj mërgatës, e cila gjithsesi ka për qëllim dhe mision disa çështje. Ja disa prej tyre:
Ruajtjen e identitetit kombëtar të mërgatës sonë- kjo do të jetë objektivi i parë. Ruajtja e identitetit kombëtar pretendohet të arrihet nëpërmjet mësimit plotësues të shqipes në kuadër të shkollës shqipe si shtyllë kryesore e ruajtjes së identitetit kulturorë e kombëtarë kudo qofshin ata. Së dyti, po ashtu, zhvillimi i aktiviteteve kulturore që do të zhvillohen në atdhe me diasporën. Dhe, çështja e tretë, është inkurajimi i investimeve të mërgimtarëve në Kosovë, të cilët jo rrallë kanë pasur vërejtje përkitazi me procedurat dhe burokracinë e lartë që i ka pritur ata në zyrat e institucioneve të Kosovës.
Ministria e Diasporës do të jetë një urë lidhëse ndërmjet diasporës dhe Kosovës. Ministria e Diasporës do të shërbejë si koordinatore e të gjitha veprimeve institucionale në Kosovë në raport me diasporën.
Thjesht, tashmë diaspora ka një adresë të saj, e cila do të jetë e gatshme që t’i përgjigjet secilit interesim veç e veç të mërgimtarëve.
Diaspora –shtoi zotëri Lushtaku, gjithsesi duhet të përfshihet në numrin e përgjithshëm të banorëve të Kosovës, në rigjistrimet e ardhshme. Për këtë do të bëj çmos që edhe diaspora, në të ardhmen, të përfshihet në këtë dhe kjo të ndodhë në një afat sa më të shpejtë kohor.
Ministria e Diasporës do te jetë e hapur për të gjithë. Ky dikaster i qeverisë do të jetë koordinatori dhe adresa e parë e diasporës me institucionet. Kjo Ministri do të punojë në hartimin e politikave për ngritjen e kapaciteteve të Ministrisë së Diasporës dhe në këtë mënyrë do të hartohen politikat së bashku me njerëzit tanë në diasporë, e assesi nëpër zyra në Prishtinë, pa i takuar mergimtarët dhe pa prekur shqetësimet e tyre.
Më pastaj Zëvendës Ministri Lushtaku i shoqëruar nga Ambasadori Peci e Këshilltari i Jashtëm zotëri Isufi me ftesë të Ambasadës të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Suedisë në Stokholm vizituan ambasadën e Shqipërisë. Takimi u realizuar në nderim të Festës së Flamurit dhe përvjetorit të 99 të pavarësisë së Shqipërisë. Ambasadori Ruhi Hodo të pranishmit i informoi për punën, veprimtaritë dhe kontributin që dha Ambasada shqiptare gjatë gjithë këtyre viteve për mërgatën tonë shqiptare. Pra, Ambasada e Shqipërisë ishte Ambasadë e gjithë Shqiptarëve.
Zëvendës Ministri Lushtaku fillimisht i uroi Festën e Flamurit, Festën e Pavarësisë së Shqipërisë Ambasadorit Hodo dhe e falënderoi për përkujdesjen institucionale të shtetit Shqiptar dhe kontributin që dha për Lirinë e Kosovës. Takimi ishte shumë miqësore dhe u evokuan ngjarje dhe aktivitete të ndryshme
Më ftesë të ShKA “ Ardhmëria “ në Kristianstad, qytet në jug të Suedisë u mbajt manifestimi qendror për Festën e Flamurit. Në këtë manifestim kulturor e kombëtar ishte i pranishëm edhe Zëvendës Ministri Lushtaku. Ai u shoqëruar nga Këshilltari I Jashtëm zotëri Isufi dhe përfaqësues të Institucioneve kulturo arsimore, të shkollës shqipe si: Nuhi Mazreku, Muhamet Muriqi, Qerim Kryeziu, Adem Qerimaj, Abdullah Haziri, Rizah Sheqiri, Ramadan Reshitaj Florinda Fejza etj. U mirëpritën ngrohtësisht nga mergimtarët dhe Kryesia e SHKA “Ardhmëria” në Kristianstad, nga kryetari i kësaj shoqate Sylejman Berisha, antarët Sabit Gashi, Arieta Krasniqi, Skender Jashari, Sejdi Zeka etj.
E vogël ishte salla për të pranuar gjithë ata mysafirë që kishin mësyrë për të festuar e gëzuar bashkë me Gjeneral Lushtakun, Luftëtarin e Lirisë ne Festën e Flamurit.
Programin e hapem me himnin e flamurit tonë kombëtar. Sylejman Berisha kryetar i shoqatës “Ardhmeria” i përshëndeti të pranishmit dhe foli për vlerat historike të nëntorëve shqiptar.
Kremtimi i Festave tona madhore tashmë është bërë traditë në këtë komunë suedeze, në të cilën jeton përditshmërinë e vet një komunitet i madh i bashkëkombëseve tanë.
Pastaj të pranishmit i përshëndeti edhe Zëvendës Ministri në Ministrinë e Diasporës zotëri Nuredin Lushtaku i cili foli për vlerat historike të nëntorëve shqiptar. Muaji nëntor është muaji më historik i kombit tonë. Fjalimin e tij Gjeneral Lushtaku e përfundoi duke thënë se ndihem i lumtur që jam në mesin tuaj për të festuar me Ju Festat e Nëntorit dhe ju uroi Festën e Flamurit, Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë , daljen në skenë të UCK-së dhe ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari.
Gjithashtu të pranishmit i përshëndeti dhe u uroi Festën edhe zotëri Xhevat Isufi. Programi rrodhi hoje mjalti sic do të thoshte Thimi Mitko në ”Bletën shqiptare” sepse bashkëkombësit e lodhur nga pesha e rëndë e kurbetit patën rastin të shërojnë plagët e shpirtit të shkaktuara nga harrimi, nostalgjia e mërgimi. Vjershat e poetëve tanë, këngët e vallet tradicionale shqiptare ndikonin për bukuri dhe njeriu dallonte lehtë spastrimin- katarsisin- thoshte Aristoteli dikur- në fytyrat e shpirtërat e shqiptarëve mërgimtarë. Më herët ishte përfolur në Kristianstad e rrethinë se ky program do të jetë i veçantë krahasuar më të tjerët sepse për herë të parë mërgimtarët tanë festuan me Gjeneral Lushtakun bashkëluftëtar i afërt i Komandantit Legjendar Adem Jashari.
Të gjithë ata që morën pjesë e festuan bashkë më ne atë mbrëmje nëntori u ndanë të kënaqur me programin festiv dhe pritjen bujare që iu bënë anëtarët e SHKA “Ardhmëria”, nxënësit, arsimtarët dhe prindërit, e kësaj komune suedeze ku përditshmërinë e vet e kalojnë edhe shumë bashkatdhetar që valët dhe dallgët e kohës i sollën në këto vende pa dashjen e tyre.
Xhevat Isufi 28 nëntor 2011


