ULLMAR QVICK - SUEDI
/Ligjeratë e mbajtur në Konferencën e Tretë për mësuesit e gjuhës amtare shqipe që punojnë në shtetet skandinave, Landskronë 11-12 maj 2006/
PJESEMARRËSVE TË KONFERENCËS PËR ARSIMTARËT E GJUHËS AMTARE SHQIPE NË LANDSKRONA MË 11-12 MAJ 2006
Te nderuar pjesëmarrës:
Së pari dua te ju përshëndes si koleg dhe dashamires i kulturës shqipe me një shpresë se mendimet që ju sjell sot do të priten pozitivisht por jo pa i vlerësuar edhe me sy kritik! Ndoshta duhet të them "të dashur bashkëatdhetarë" sepse më kanë shpallur shqiptar nderi. Por ndoshta jam më interesant si suedez fenomenal në botën shqiptare!!
Problemet e shumta qe kishit në arsimin e gjuhës shqipe në mërgim në vitet 90 të jane zëvendesuar nga probleme të tjera jo me pak alarmuese. Nuk dua të hyj në hollësira për atë, vetem dua te përmend shkurtimisht disa pika me rëndësi:
l. Femijët shqiptarë në mërgim ballafaqohen me impulse të shumëllojshme, me kërkesa disa here kontradiktore, dhe të rinjtë nuk mund të orientohen me lehtesi në ambientin që i rrethon. Mësimi i gjuhës amtare shumë lehtë vihet në plan të dytë, megjithëse shkencetarët kane dëshmuar se njohuria e mirë e gjuhës së prindërve është kyci i mësimit të gjuhës së dytë, të tretë etj. Me fjale të tjera: Nesë themeli është i shëndosh, mund të ndertohet shtëpia e njohurive për shkollën dhe për jetën. Ambienti nordik nuk duhet të vihet në kundërshtim me pervetësimin e gjuhës dhe kulturës shqipe - të dy kulturat sigurisht mund të kompletojnë
njeratjetrën! - Problemi këtu është statusi i gjuhës shqipe në vlerësimet e femijëve. Dhe sigurisht ata fëmijë që ndihen të pasigurt, të shqetësuar, të nënvleftësuar, të rrezikuar në
ambientin e tyre kanë një mendim se ata janë pa status - dhe gjuha e tyre amtare gjithashtu.
2. Situata e prindërve luan edhe ajo rol të madh. Mjaft prej shqiptarëve në Suedi janë me nivel të ulët arsimor, dhe gjuha e folur shqipe është e varfër dhe jo e pastër në shumë familje. Shumë shqiptarë ndiejnë një lloj izolimi, si nga bashkëatdhetarët e tyre edhe nga shoqëria suedeze. Në vendlindje njerëzit në një qytet, në një fshat, janë në marrëdhënie të natyrshme shoqërore, kanë lidhje të forta me të afërmit dhe me miq të ndryshëm. Këtu në Suedi në një qytet ndoshta jetojnë shqiptarë me prejardhje nga shumë komuna të Kosovës dhe disa nga Shqipëria dhe Maqedonia. Lidhjet midis njerëzve nuk janë si në vendlindje. Dhe lidhje me vendasit nuk krijohen me lehtësi. Fëmijët bëhen të vetëdijshëm për këto pengesa dhe
probleme. Ata krijojnë lidhje më me lehtësi, dhe ndoshta fillojnë të largohen nga rrethi shqiptar. Kjo në një farë mase është normale, dhe cdokush ka nevojë për rrënjë në truallin
ku jeton. A do të jetojnë këtu fëmijët shqiptarë me rrënjët diku larg, në botën shqiptare ose të bëhen suedezë duke harruar vendlindjen e prindërve të tyre? Duhet të kuptojmë se gjendja ideale është që të përvetësojnë gjërat më të mira nga dy kultura. As izolimi fanatik nga
shoqëria suedeze, as liberalizmi i pafrenuar, ku individi pa norma shfrytëzon cka i jep më shumë dobi, nuk janë rrugë të mira për gjeneratën e re. Duhet të kemi një proces të
ndërgjegjshëm seleksionimi në të cilin individi dhe familja marrin qëndrim dhe bëjnë zgjedhje. Dhe në atë aspekt shkolla mund të japë impulse të mira dhe mundësi konkrete për familjen dhe individin.
Sot dihet se një përqindje e madhe nga shqiptarët në Suedi nuk do të kthehen në vendlindje. Të pranosh këtë fakt kërkon një realizëm të dhimbshëm. Të jesh mërgimtar do të thotë humbja e vazhdueshme e atdheut, ndërsa vendi i ri ku banon mërgimtari nuk do të fitohet plotësisht kurrë. Fati i mërgimtarit është të jetë i ndarë dysh. Nga ana tjetër përvoja dhe ndërgjegja, të fituara me aq shumë mundim bile vuajtje, kanë vlerën e vetë, dhe kush e di, mërgimtari ndoshta mund të durojë fortunat e jetës më me lehtësi se vendasi?! Vendasi i mashtruar nga stabiliteti i rremë i ambientit të tij...
3. Si duhet të përmirësohet statusi i gjuhës shqipe si lëndë mësimore? Kemi këtu tre faktorë kryesorë: Së pari qëndrimi i prindërve, ndikimi i tyre, se dyti aftësia e arsimtarit, dhe se treti masat që marrin shkollat nordike për të mundësuar një arsim tërheqës. - Nga pikëpamja pedagogjike- metodologjike arsimtari shqiptar duhet te jetë në nivel me arsimtarët vendas, dhe kjo nuk mund të arrihet pa kualifikim të mëtejshëm për tu përshtatur standardeve të shkollës së vendit dhe të kërkesave të ngritura për mësimin e gjuhës shqipe me mjete dhe metoda moderne!
Kemi në shumë raste edhe një faktor për të përmendur: Jam i bindur, edhe nga përvoja ime personale në një familje të përzier shqiptare-suedeze, se fëmijët në saje të vizitave në vendlindjen e prindërve do të interesohen më shumë për gjuhën shqipe, vizitat në botën shqiptare u japin atyre nxitje të flasin dhe të shkruajnë shqip. Do të ndjejnë afrim dhe dashuri për dy ambiente, si për Suedinë edhe për vendlindjen e prindërve.
4. Për arsimtarin shqiptar bashkëpunimi me shkollën, me prindërit dhe me kolegët duhet të frymëzohet nga interesat e nxënësve. Natyrisht arsimtari është njeri, dhe gjithmonë në punën tonë po hasemi me shfaqje simpatie ose inati. Si arsimtar me 40 vite përvoje profesionale mund të them se ky është një realitet i gjallë, pavarësisht nga kombësia!
Prapësëprapë në vendet skandinave shihen si të huaja dhe të pakuptimta kontradiktat në mes të arsimtarëve dhe në kontaktet e tyre me prindërit për arsye të politikës ose të konflikteve familjare etj. Arsimtarët duhet të jenë të bashkuar, të lenë anash mosmarreveshjet politike ose
personale, kur detyra e tyre e shenjtë është puna me fëmijët në një frymë të shëndosh! Dua të shtoj se arsimtarët shqiptarë nuk duhet të formojnë një "ishull të izoluar" brenda shoqërisë nordike, normat e kësaj shoqërie në të cilën jetojmë janë të domosdoshme për të gjithë. Menjëherë fëmijët shqiptarë do të vënë re cdo anomali në sjelljet e arsimtarit shqiptar në krahasim me arsimtarët vendas - shfaqje këto thjesht negative për të gjithë.
Me këtë nuk dua të them se normat nordike janë të dhëna nga Zoti vetë!!
5. Dhe tani një problem jo plotësisht brenda temës por shumë me rëndësi. Dua të krijoj një farë opinioni në lidhje me gjuhën shqipe në nivelin universitar.
A janë shqiptarët në Skandinavi aq modest, aq të përulur sa të mos kërkojnë me këmbëngulje një katedër të gjuhës shqipe këtu në një prej vendeve nordike? Shpresoj se jo! A ka të bëjë mungesa e një katedre të tillë me një mosinteresim nga ana e gjeneratës së re për studime të
gjuhës së tyre amtare në fakultet? Dihet se përgjithësisht interesimi për studimet gjuhësore këtu në Suedi ka rënë mjaft në vitet e fundit. Këto studime kërkojnë shumë mundim dhe studentët gjejnë lëndë që japin nota të mira pa shumë talent dhe punë! Kjo vërejtje nuk ka karakter kombëtar - ajo vlen aq shumë për studentët me prindër suedezë!
6. Më në fund disa propozime për veprim nga ana e arsimtarëve shqiptarë në Suedi.
Së pari një konkurs hartimi në planin kombëtar, ndoshta në bashkëpunim me Radion Suedeze. Unë vetë kam organizuar një konkurs të tillë para disa vitesh dhe ju siguroj se ky është një aktivitet i përshtatshëm për të stimuluar përdorimin e shqipes së shkruar ndër të rinjtë shqiptarë. Pastaj duhet të krijohet një forum në internet për nxënësit shqiptar në Suedi me tekste, vizatime etj. - një lloj reviste elektronike. Në këtë kontekst dua të përgëzoj Ramadan
Reshitajn për botimin e revistës së vogël "Xixëllonja". Ndoshta Ramadani mund të zgjeronte përhapjen e këtij botimi me një version elektronik?
Dhe më në fund propozoj një iniciativë nga ana e Lidhjes për krijimin e një katedre të gjuhës
shqipe në një universitet suedez. Një alternativë me vlerë do të ishte organizimi i kurseve të verës në një Shkollë të lartë popullore - Folkhögskola - në nivele të ndryshme të mësimit të shqipes.
Alternativë tjetër: Një program elektronik me kurse të gjuhës shqipe në nivele të
ndryshme, duke e kombinuar me seminare verore, pse jo në një Folkhögskola... Në rast se dicka realizohet, do të jem gati të ju jap disa udhëzime, mirëpo për arsye të moshës nuk jam gati të punoj drejtpërdrejt me arsimin në fjalë. Vërtet, kam bërë mjaft përpjekje për të realizuar studime universitare të shqipes në Suedi, përmes kontakteve me Ministrinë e Arsimit, me Universitetin e Lundit, me Lidhjen e Studentëve shqiptarë në Suedi. Prapësëprapë, nuk kam arritur në rezultate konkrete. Këtu në Suedi "Zëri i vetmuar në shkretëtirë" nuk ka peshë. Duhet të kesh një organizatë si bazë për të pasur sukses! Bashkimi bën fuqinë, fakt i njohur mirë - kërkesë dhe shpresë në botën shqiptare për më shumë së 100 vite!
Ndoshta këto propozime nga ana ime bashkë me ide të tjera mund të diskutohen nesër në punën e grupeve. Ju falënderoj për vëmendjen dhe ju uroj punë të mbarë.
Ullmar Qvick
Në Landskrona më 11 maj 2006


